INFORMATA JURIDIKE - AKTUALITETE

13. juil., 2019

 

“Aplikohet ndaj shtetasve të huaj, apo ndaj personave, statusi juridik i të cilëve nuk është i rregulluar sipas dispozitave të tjera të së drejtës federale ose përmes traktateve ndërkombëtare të lidhura nga Zvicra”, thuhet në mes tjerash në hyrje të ligjit të ri zviceran për të huaj dhe integrim. Në definimin përkatës përfshihen pra edhe njerëzit tanë që nuk e posedojnë pasaportën evropiane apo atë zvicerane.

 

Pse flasim për ashpërsime të reja ligjore?

Kushte të reja për fitimin apo vazhdimin e lejes së qëndrimit, për realizimin e të drejtës për bashkim familjar, por edhe për humbjen e statusit të qëndrimit, një ridefinim i domethënies së integrimit në shoqëri, një përkushtim i veçantë ndaj njohjeve gjuhësore, janë disa këto nga karakteristikat kryesore të ligjit të ri.

Në të kaluarën, ka qenë e ditur gati se për të gjithë ne se, për shembull, varshmëria e gjatë apo e vazhdueshme nga ndihmat sociale të shtetit, figurimi në regjistrin e të dënuarve, kanë qenë ndër kriteret kryesorë të cilat kanë ndikuar në realizmin apo në humbjen e një të drejte që lidhet me statusin e qëndrimit në Zvicër.

Mirëpo, tani risia është se gjendemi përball sfidave të reja të “integrimit” në këtë shoqëri të pranimit. Jo vetëm se rregullat e mëparshme mbi statusin e qëndrimit mbeten ende në fuqi, por ata kanë kaluar në një shkallë tjetër vlerësimi, duke u ashpëruar dukshëm e më tepër.

Në kuadër të shqyrtimit të një kërkese (për shembull, për vazhdimin e lejes së qëndrimit, bashkimin familjar, etj.), ligji i ri parashikon një sërë masash plotësuese të cilat synojnë posaçërisht një mbikëqyrje dhe një verifikim gati se “milimetrik” të rasteve të cilat janë objekt shqyrtimi.

Kushtet për transformimin e lejes së qëndrimit B në C janë vështirësuar, kurse ato për humbjen lejes C janë lehtësuar (në emër të rregullës së “mosplotësimit të kushteve të integrimit”). Kjo leje nuk është më e paprekshme, ashtu siç konsiderohej në të kaluarën! Një varshmëri e gjatë (dhe e paarsyeshme!) nga ndihmat sociale mund të çojnë deri te humbja e saj! Pengesa të ngjashme hasim në realizmin e të drejtës për bashkim familjar.

Për vazhdimin apo transformimin e lejes së qëndrimit, autoritetet vendimmarrëse kanë të drejtë të marrin informata të ndryshme, sidomos nga disa shërbime tjera “specifike” shtetërore, siç janë institucionet që veprojnë në fushën e pagesave të shërbimeve shtesë,  institucionet shkollore dhe organet që merren me tutorinë dhe kujdestarinë. Nuk është kjo një listë gjithëpërfshirëse.

Me fjalë të tjera, interesimi përqendrohet në atë që të dihet më mirë, se kandidati a merr ndihma shtesë nga shërbimet e shtetit (për shembull, atyre që nuk iu mjaftojnë të ardhurat e pensionit), se çfarë dosje kanë në shkollë fëmijët e tyre (për shembull, a janë shqiptuar masa disiplinore ndaj tyre, etj.), por edhe çfarë telashesh paraqiten tek institucionet që përkujdesen për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave madhorë (për shembull, fëmijët e familjeve të vënë nën kujdestari, etj).

Shkohet edhe më larg; kërkohen nganjëherë edhe informata për me e ditur edhe atë se kandidati a ka nevoja të veçanta për integrim. Një çështje kjo që i takon sferës jo aq të kuptueshme, që mbetet ende e pa qartësuar, dhe nuk dihet aspak se a do të kuptohet një ditë domethënia e saj reale!

 

Një ridefinim i integrimit!

Respektimi i sigurisë dhe i rendit publik, respektimi i vlerave të Kushtetutës, niveli i kompetencave gjuhësore dhe pjesëmarrja në jetën ekonomike apo fitimi i një përgatitje profesionale (apo shkollimi), janë këto shtyllat apo komponentët kryesore të cilat e definojnë integrimin sipas ligjit të ri.

Edhe pse duket se ekziston një definim i kuptimit të tij, faktorët të cilët shërbejnë për me e matur shkallën e integrimit nuk janë të një qartësie për më ia pasur lakmi! Vallë si do ta definonim atëherë shkallën e integrimit në shoqëri të bartësit të pasaportës zvicerane apo evropiane, i cili, bile as për së afërmi, nuk i plotëson shumicën e kritereve ligjore të përmendura?! Specialistët e këtyre pyetjeve të “integrimit” duket se iu frikësohen përgjigjeve pragmatike!

 

Kritikat ndaj ligjit

Nga qarqet e kritikuesve të ligjit të ri, dëgjojmë më tepër analizat se ky ligj simbolizon më tepër një instrument masash, ai është i fokusuar para së gjithash në detyrimet e të huajve, e jo aq sa duhet në detyrimin e njëfarë “reciprociteti zotimesh” (nga të huajt dhe të vendit).

Përveç kësaj, konsiderohet se ky ligj hapë një fushë rreziku për vendime arbitrare, krijon një pasiguri juridike, ku disa misione shtetërore e marrin ngjyrën e akteve “hetimore” apo anketuese, futen ndoshta më tepër se sa duhet në jetën private të disa njerëzve!

Ekziston gjithashtu frika nga ajo se, marrë parasysh dallimet e mëdha që ekzistojnë në mes të kantoneve zvicerane, paraqitet rreziku i një interpretimi të dëmshëm të ligjit në planin e aplikimit të tij praktik. Vështirë pra të synohet njëfarë uniformiteti i zbatimit të tij në tërë territorin shtetëror zviceran!  

U tha se, një theks të veçantë, aty i kushtohet nivelit të njohjeve gjuhësore. Jo vetëm se kërkohet një shkallë e caktuar, por kësaj çështje i jepet gati se epiteti i një sinonimi për integrim në shoqëri. Një aspekt ky që iu nënshtrohet gjithashtu kritikave nga më ndryshmet! Praktika na tregon qartazi se më të integruarit në shoqëri nuk janë gjithmonë ata që kanë më tepër prirje gjuhësore!

Edhe një instrument i parashikuar në ligj i quajtur “Marrëveshja për integrim” nuk është i kursyer nga pakënaqësitë e disa rrjeteve. Ai iu lejon kantoneve që në praktikat e tyre të parashikojnë lidhjen e një marrëveshje në mes të kandidatit të huaj (për shembull, depozituesi i kërkesës për vazhdimin e lejes) dhe një institucion shtetëror (që merret me çështje të të huajve), ku do të përfshiheshin ca rregulla integrimi të cilat kandidati do të zotohet se do ti respektoj apo do ti përmbushi kushtet e kërkuara brenda afateve të caktuara! Definimi i instrumentit të tillë duket se nuk është i një qartësie të duhur.

Në këndvështrimin juridik, edhe përcjellja e disa informatave (që i cekëm më lartë) tek institucionet e tjera (shërbimet për të huaj) është problematike, nëse iu referohemi rregullave që kanë të bëjnë me parimin e respektimit të sferës private e familjare, sipas nenit 8 të Konventës evropiane për të drejta e njeriut. E ardhmja do të na tregoi se a do të kalojnë pa telashe ca rregulla aq të lakmueshme për disa autorë të ligjit! 

 

Konkludim

E gjithë kjo çka u tha mbi zbatueshmërinë e këtij ligji, vlen të theksohet ajo se ai nuk i prek, së paku drejtpërdrejt, personat tjerë të huaj që vijnë në Zvicër me pasaportat e tyre nga shtetet evropiane.

Ta përfundojmë me një shembull konkret; në aspektin e statusit juridik në shoqërinë zvicerane, një bashkatdhetari ynë që posedon lejen e qëndrimit C dhe punon në Zvicër me dekada të tëra, ka më pak të drejta se sa një person shtetas italian apo që e posedon pasaportën italiane dhe punon në Zvicër që prej vetëm disa javësh.

Sidoqoftë, dhe marrë parasysh natyrën kritike të disa vlerësimeve të shprehura në këtë tekst, mos ta harrojmë rregullën e pacenueshme në demokracinë zvicerane e cila kërkon që, pa rezervë, ta respektojmë ligjin, qoftë ai edhe i një shije që neve nuk na shkon nganjëherë përshtati!

Mirëpo, kemi edhe të drejtën që aplikueshmërisë së ligjit të tillë mos i dëshirojmë një rrugëtim të gjatë (për sa i përket vlerës së tij kohore për vendet tona ballkanike), pasi që perspektivat e hyrjes në familjen evropiane, do ta shkurtojnë edhe perspektivën e vlefshmërisë së ligjit të tillë për vendet përkatëse! Çfarë vlera shumëdimensionale bartin pra nevojat e avancimit të reformave dhe proceseve zhvillimore në trojet tona!

 

Neuchâtel, më 13 korrik 2019

www.zyra-begzati.ch

 

 

22. avr., 2019

SI LLOGARITEN DITËT E PUSHIMIT PA PAGESË DHE TË DREJTAT TONA? KUJDESË PAS DITËS SË 31 TË PUSHIMIT PA PAGESË!

Gjatë një marrëdhënie pune, kuptohet se dallohen ditët e pushimit normal apo me pagesë që na takojnë sipas kontratës (apo ligjit) dhe ditët e lira që mund të akordohen, në disa raste, por pa asnjëfarë pagese.

Së pari, theksojmë atë se nuk e ekziston ndonjë parim apo rregull e cila i’a imponon një punëdhënësi që punëtorit të tij t’ia japë të drejtën për ditë të lira pa pagesë. Është kjo një çështje që në shumicën dërmuese të rasteve kalon përmes një marrëveshje paraprake në mes të punëdhënësit dhe punëtorit.

Pra, në krahasim me të drejtën për pushim të zakonshëm vjetor, e drejta për pushim pa pagesë nuk është e obligueshme për punëdhënësin. Atëherë kur realizohet kjo e drejtë, është kësisoj pastaj logjike se gjatë asaj kohe, punëtori nuk realizon të ardhura.

Pasojat më të rëndësishme që dalin nga pushimi pa pagesë janë këto si vijojnë :

  • Nga rroga e 13-të mund të zbritet proporcionalisht koha e pushimit pa pagesë, duke shkaktuar kështu edhe uljen e një përqindje të rrogës përkatëse ;
  • Sa iu përket ditëve normale të pushimit vjetor (pra, me pagesë), mund të zbritet numri i ditëve që na takon, si pasojë kjo e marrjes së pushimit pa pagesë. Si zakonisht, poqe se pushimi në fjalë tejkalon një muaj, punëdhënësi mund ta zbresë numrin e ditëve të pushimit vjetor për disa ditë, varësisht pra nga numri i saktë i ditëve të marra. Mirëpo, kjo nuk ndodhë gjithmonë, pasi që varet edhe nga dëshira e punëdhënësit;
  • Pasojat ekzistojnë edhe në lëmin e pushimit mjekësor. Nëse punëtori sëmuret gjatë pushimit, ai nuk mundet assesi ti “kthej” sërish ditët e humbura. Kurse siç dihet, gjatë kohës së pushimit me pagesë, nën disa kushte, punëtori mund t’i fitojë së paku një pjesë të ditëve, në qoftë se është sëmur gjatë pushimeve;
  • Kujdesit duhet të tregohet edhe ndaj sigurimeve të ndryshme të cilat, disa nga to, pas ditës së 31 nuk ofrojnë ndonjë mbulesë. Për shembull, sa i përket sigurimit i cili e mbulon pagesën e rrogës në raste të sëmundjes, punëtori e humbë të drejtën në pagesë (në kompensime ditore), në qoftë se marrëdhënia e tij e punës është ndërprerë më tepër se 30 ditë. Po e njëjta rregull vlen për sigurimin e aksidenteve. Edhe për shtesat fëmijërore ekzistojnë gjithashtu ca pasoja financiare.

Në fund, mund të thuhet ajo se nuk ka nevoje me u frikësuar për pasojat eventuale nëse është fjala për pushime pa pagesë vetëm disa ditore apo dy tre-javore, për shembull. Vëmendja e kujdesshme ndaj kësaj çështje duhet të tregohet sidomos atëherë kur pushimi i tillë i tejkalon 31 ditë.

Përpiluar nga Zyra juridike – Begzati

Neuchâtel, më 22.04.2019

 

6. nov., 2018

Ekzistojnë disa raste të cilësuara si rrethana që ia ndalojnë një punëdhënësi që ta largojë punëtorin e tij nga puna. Kështu që, në raste sëmundjeje dhe aksidenti, punëdhënësi s’ka të drejtë që ta shkëpusë kontratën e punës të punëtorit të tij, brenda disa afateve kohore të mbrojtura me ligj, edhe atë

  • Gjatë 30 ditëve të para (të sëmundjes/aksidentit), nëse kohëzgjatja e marrëdhënies së punës nuk e tejkalon një vitë ;
  • Gjatë 90 ditëve të para, nëse marrëdhënia e punës përfshinë një periudhë kohore prej një deri pesë vite ;
  • Gjatë 180 ditëve të para, nëse marrëdhënia e punës ka tejkaluar mbi gjashtë vite. Rregull kjo që vlen edhe për rastet e shtatzënisë, për periudhën 16 javore pas lindjes.

Nëse e marrim shembullin e një marrëdhënie pune që nuk i ka tejkaluar një vite:

Nëse një punëtor sëmuret dhe nuk mund të punojë brenda gjatë tri javëve, atëherë afati i largimit nga puna pezullohet gjatë kësaj periudhe. Por, nëse, punëtori pëson një aksident dhe nuk është në gjendje të punojë brenda katër muajve, atëherë ai mbrohet vetëm brenda 30 ditëve. Domethënë, punëdhënësi ka të drejtë ta largojë atë nga puna pas ditës së 31 të pushimit mjekësor.

Për personat që ushtrojnë aktivitet të pavarur, mbulesa e sigurimeve aplikohet vetëm për ata që kanë lidhur ndonjë kontratë që parashikon mbrojtjen për këtë. Ekzistojnë sigurime që, në raste sëmundjeje/aksidenti, bëjnë pagesa brenda 730 ditësh e më tepër.

Në qoftë se pagesa ka marrë fundë për shkaqe shëndetësore e, ndërkohë, ende ekziston paaftësia për punë, atëherë mund të bëhet një kërkesë në kuadër të rregullave mbi sigurimin invalidor.

Informata më të hollësishme për të drejtat tona në punë, mund të konsutlohen në botimin tonë “Zvicra dhe ligjet e saja; shembuj konkretë dhe këshilla praktike”

 

Përpiluar nga Zyra për këshilla juridike – Begzati

Neuchâtel, më 06.11.2018

13. sept., 2018

 

  1. 1.    Çka nënkupton pensionimi i parakohshëm dhe kush janë pasojat e tij ?

Sa i përket pensionimit « normal », sipas shtyllës së parë – AVS/AHV (pa i marrë parasysh shtyllën e dytë dhe të tretë), është e mundshme që të dilet në pension 1 apo 2 vite më herët sesa është e paraparë sipas kufirit ligjor. 

Gjithsesi vendimet e tilla i kanë pasojat e tyre në nivelin e rentës mujore.

Nëse pensionimi ndodh një vitë para kohe, atëherë

  • të ardhurat mujore zbriten dhe «penalizohen» për 6,8%,
  • kurse ato zvogëlohen 13,6 %, nëse pensionimi ndodh dy vite para kohe.

Këto zbritje aplikohen gjatë tërë periudhës kohore kur personi i interesuar gjendet në pension.

Në pensionim të parakohshëm mund të dilet edhe që prej moshës 58 vjeçare, poqë së arka jonë ku paguhen kuotizimet (shtylla e dytë (Pensionskasse (gj), Caisse de pension (fr).) e parashikon këtë. Të ardhurat për pensionim në rastet e tilla duhet të sigurohen pra nga arka ku personi ka kuotizuar në kuadër të ndonjë aktiviteti të tij profesional.

E gjithë kjo varet pra nga shuma e parave që i kemi në llogarinë e arkës përkatëse dhe prej interesit tonë për me dalë në pension para kohe.

Këtë variantë të mundshme nuk duhet ngatërruar assesi me pensionimin bazik « normal ». Nënkuptohet se, nëse shfrytëzohet kjo e drejtë përmes shtyllës së dytë, deri në moshën ligjore të pensionimit, nuk mund të merren edhe të ardhura që na takojnë nga pensionimi i zakonshëm apo bazik (AVS-AHV).

Edhe sipas rregullave të shtyllës së dytë, dalja e parakohshme në pension ka si pasojë zvogëlimin e shumës që na takon, edhe atë gjatë gjithë kohës së pensionimit.

 

  1. 2.    Pensionimi i « mëvonshëm »

Në vitin kur na takon pensionimi normal, është gjithashtu e mundshme që të zgjatet afati i fillimit të marrjes së rentës mujore prej 1 deri 5 vite.

Jo aq e përhapur kjo variantë, në krahasim me pensionimin e parakohshëm.

Ndryshe me thënë, nëse preferohet ky opsion, atëherë personi i interesuar kërkon nga institucioni kompetent që pensionin ta marrë disa vite pas momentit të hapjes së të drejtës për pension që atij i takon normalisht.

Kësisoj, shuma e pensionit mujor zmadhohet dhe vlen gjatë gjithë kohës së gëzimit të kësaj të drejte, edhe atë varësisht nga vitet sesa është zgjatur koha për fillimin e marrjes së pensionit.

Modalitetet dhe kushtet që duhet respektuar janë të parashikuara me ligj, dhe kjo e ka domethënien se për fitimin e një të drejte të tillë mund të dihet vetëm pas depozitimit të një kërkese dhe përmbushjes së kushteve të kërkuara për këtë.

 

Informata më të hollësishme për shumë tema të tjera lidhur me çështjen e pensionimit, mund të konsultohen në botimin tonë “Zvicra dhe ligjet e saja; shembuj konkretë dhe këshilla praktike”

 

Përpiluar nga Zyra për këshilla juridike – Begzati

Neuchâtel, më 13.09.2018

23. août, 2018

Nga viti 2008, në ligjin për të huaj u integrua një dispozitë specifike[1] e cila ka të bëj me mundësitë e rregullimit të statusit të qëndrimit për një kategori të të huajve që i plotësojnë disa kushte të konsideruara si të "jashtëzakonshme".

Kushtet në fjalë rezymohen përmes interpretimeve ku veçohet posaçërisht ajo se, leja do t'iu akordohet vetëm atyre personave që paraqesin "një interes publik madhor" për shtetin zviceran. Para së gjithash, kjo aplikohet, si zakonisht dhe pak më lehtë, për artistë dhe persona me pasuri gati se të "pafundëta" !

 Edhe katër sqarime të tjera lidhur me këtë :

  • Informatat që qarkullojnë në disa artikuj gazetareskë lidhur me parakushtin e shumës së parave që duhet me e depozuar në një bankë zvicerane (50 mijë franga), nuk e reflektojnë plotësisht realitetin që e gjejmë në kantonet e ndryshme zvicerane. Ekzisojnë prej tyre që kërkojnë edhe shumë më tepër sesa ajo që përmendet. Ndërsa hasim edhe nga to që nuk janë aq të "nxehur" për me akorduar leje që mbështeten vetëm në konsiderata pasurore[2]! ;
  • Për lejen që akordohet sipas dispozitës përkatëse, le të mos harrojmë se ajo është vetëm një leje që rregullon një status qëndrimi e jo edhe ate të punës. Ajo, si e tillë, nuk e hapë pra automatikisht apo paralelisht edhe të drejtën për ushtrimin e një aktiviteti profesional ;
  • Është e vërtetë se personat që përfitojnë nga kjo rregull specifike, arrijnë nganjëherë që të fitojnë edhe një leje pune. Por, kjo kalon posaçërisht përmes një rregulle tjetër që ka të bëj me fitimin e lejes së punës përmes sistemit të kontigjentëve (që e përmendëm mësipër) apo nëpërmjet hapjes së një biznesi të rëndësishëm (aktivitete tregtare të një rëndësie madhore për ekonominë zvicerane dhe tregun e saj të punës) ;
  • Të dhënat statistikore tregojnë se kategoria e personave që përfitojnë më së tepërmi nga kjo rregull pranimi vijnë nga shtetet jashtë BE.

 

 

Informata më të hollësishme për çështjen e statusit të qëndrimit dhe të punës në Zvicër, mund të konsultohen në botimin tonë “Zvicra dhe ligjet e saja; shembuj konkretë dhe këshilla praktike”

 

Përpiluar nga Zyra për këshilla juridike – Begzati

Neuchâtel, më 23.08.2018



[1] Neni 30 paragrafi b i Ligjit për të huaj.

[2] Kushti i pikëmbështetjes së kësaj leje në aspekte të interesit financiar ballafaqohet me kritika të ashpra, që vijnë sidomos nga qarqet të cilat vlerësojnë se një kushtëzim i tillë bie ndesh me rregullat morale, traditat dhe vlerat e mirëfillta të shtetit zviceran.