13. sept., 2018

Pensionimi i parakohshëm dhe i “mëvonshëm”

 

  1. 1.    Çka nënkupton pensionimi i parakohshëm dhe kush janë pasojat e tij ?

Sa i përket pensionimit « normal », sipas shtyllës së parë – AVS/AHV (pa i marrë parasysh shtyllën e dytë dhe të tretë), është e mundshme që të dilet në pension 1 apo 2 vite më herët sesa është e paraparë sipas kufirit ligjor. 

Gjithsesi vendimet e tilla i kanë pasojat e tyre në nivelin e rentës mujore.

Nëse pensionimi ndodh një vitë para kohe, atëherë

  • të ardhurat mujore zbriten dhe «penalizohen» për 6,8%,
  • kurse ato zvogëlohen 13,6 %, nëse pensionimi ndodh dy vite para kohe.

Këto zbritje aplikohen gjatë tërë periudhës kohore kur personi i interesuar gjendet në pension.

Në pensionim të parakohshëm mund të dilet edhe që prej moshës 58 vjeçare, poqë së arka jonë ku paguhen kuotizimet (shtylla e dytë (Pensionskasse (gj), Caisse de pension (fr).) e parashikon këtë. Të ardhurat për pensionim në rastet e tilla duhet të sigurohen pra nga arka ku personi ka kuotizuar në kuadër të ndonjë aktiviteti të tij profesional.

E gjithë kjo varet pra nga shuma e parave që i kemi në llogarinë e arkës përkatëse dhe prej interesit tonë për me dalë në pension para kohe.

Këtë variantë të mundshme nuk duhet ngatërruar assesi me pensionimin bazik « normal ». Nënkuptohet se, nëse shfrytëzohet kjo e drejtë përmes shtyllës së dytë, deri në moshën ligjore të pensionimit, nuk mund të merren edhe të ardhura që na takojnë nga pensionimi i zakonshëm apo bazik (AVS-AHV).

Edhe sipas rregullave të shtyllës së dytë, dalja e parakohshme në pension ka si pasojë zvogëlimin e shumës që na takon, edhe atë gjatë gjithë kohës së pensionimit.

 

  1. 2.    Pensionimi i « mëvonshëm »

Në vitin kur na takon pensionimi normal, është gjithashtu e mundshme që të zgjatet afati i fillimit të marrjes së rentës mujore prej 1 deri 5 vite.

Jo aq e përhapur kjo variantë, në krahasim me pensionimin e parakohshëm.

Ndryshe me thënë, nëse preferohet ky opsion, atëherë personi i interesuar kërkon nga institucioni kompetent që pensionin ta marrë disa vite pas momentit të hapjes së të drejtës për pension që atij i takon normalisht.

Kësisoj, shuma e pensionit mujor zmadhohet dhe vlen gjatë gjithë kohës së gëzimit të kësaj të drejte, edhe atë varësisht nga vitet sesa është zgjatur koha për fillimin e marrjes së pensionit.

Modalitetet dhe kushtet që duhet respektuar janë të parashikuara me ligj, dhe kjo e ka domethënien se për fitimin e një të drejte të tillë mund të dihet vetëm pas depozitimit të një kërkese dhe përmbushjes së kushteve të kërkuara për këtë.

 

Informata më të hollësishme për shumë tema të tjera lidhur me çështjen e pensionimit, mund të konsultohen në botimin tonë “Zvicra dhe ligjet e saja; shembuj konkretë dhe këshilla praktike”

 

Përpiluar nga Zyra për këshilla juridike – Begzati

Neuchâtel, më 13.09.2018