22. avr., 2019

Marrëdhëniet e punës dhe pushimi pa pagesë

SI LLOGARITEN DITËT E PUSHIMIT PA PAGESË DHE TË DREJTAT TONA? KUJDESË PAS DITËS SË 31 TË PUSHIMIT PA PAGESË!

Gjatë një marrëdhënie pune, kuptohet se dallohen ditët e pushimit normal apo me pagesë që na takojnë sipas kontratës (apo ligjit) dhe ditët e lira që mund të akordohen, në disa raste, por pa asnjëfarë pagese.

Së pari, theksojmë atë se nuk e ekziston ndonjë parim apo rregull e cila i’a imponon një punëdhënësi që punëtorit të tij t’ia japë të drejtën për ditë të lira pa pagesë. Është kjo një çështje që në shumicën dërmuese të rasteve kalon përmes një marrëveshje paraprake në mes të punëdhënësit dhe punëtorit.

Pra, në krahasim me të drejtën për pushim të zakonshëm vjetor, e drejta për pushim pa pagesë nuk është e obligueshme për punëdhënësin. Atëherë kur realizohet kjo e drejtë, është kësisoj pastaj logjike se gjatë asaj kohe, punëtori nuk realizon të ardhura.

Pasojat më të rëndësishme që dalin nga pushimi pa pagesë janë këto si vijojnë :

  • Nga rroga e 13-të mund të zbritet proporcionalisht koha e pushimit pa pagesë, duke shkaktuar kështu edhe uljen e një përqindje të rrogës përkatëse ;
  • Sa iu përket ditëve normale të pushimit vjetor (pra, me pagesë), mund të zbritet numri i ditëve që na takon, si pasojë kjo e marrjes së pushimit pa pagesë. Si zakonisht, poqe se pushimi në fjalë tejkalon një muaj, punëdhënësi mund ta zbresë numrin e ditëve të pushimit vjetor për disa ditë, varësisht pra nga numri i saktë i ditëve të marra. Mirëpo, kjo nuk ndodhë gjithmonë, pasi që varet edhe nga dëshira e punëdhënësit;
  • Pasojat ekzistojnë edhe në lëmin e pushimit mjekësor. Nëse punëtori sëmuret gjatë pushimit, ai nuk mundet assesi ti “kthej” sërish ditët e humbura. Kurse siç dihet, gjatë kohës së pushimit me pagesë, nën disa kushte, punëtori mund t’i fitojë së paku një pjesë të ditëve, në qoftë se është sëmur gjatë pushimeve;
  • Kujdesit duhet të tregohet edhe ndaj sigurimeve të ndryshme të cilat, disa nga to, pas ditës së 31 nuk ofrojnë ndonjë mbulesë. Për shembull, sa i përket sigurimit i cili e mbulon pagesën e rrogës në raste të sëmundjes, punëtori e humbë të drejtën në pagesë (në kompensime ditore), në qoftë se marrëdhënia e tij e punës është ndërprerë më tepër se 30 ditë. Po e njëjta rregull vlen për sigurimin e aksidenteve. Edhe për shtesat fëmijërore ekzistojnë gjithashtu ca pasoja financiare.

Në fund, mund të thuhet ajo se nuk ka nevoje me u frikësuar për pasojat eventuale nëse është fjala për pushime pa pagesë vetëm disa ditore apo dy tre-javore, për shembull. Vëmendja e kujdesshme ndaj kësaj çështje duhet të tregohet sidomos atëherë kur pushimi i tillë i tejkalon 31 ditë.

Përanditur nga Zyra juridike – Begzati

Neuchâtel, më 22.04.2019